Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 44 palestinezë të tjerë në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori i vitit 2023 në të paktën 51.201, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se 145 persona të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve izraelite dhe janë transferuar në spitale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në të paktën 116.869.
“Shumë viktima akoma janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ato”, tha ministria.
Më 18 mars, ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore ndaj Gazës, vetëm që atëherë duke vrarë 1.827 njerëz dhe duke plagosur 4.828 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në muajin janar.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.