Imam Ibn Hummam, dijetari i madh muxhtehid hanefij, thotë në Fet’h el-Kadir:
“Të kënduarit e ndaluar (haram) është, kur përmbajtja e këngës përmban gjëra të ndaluara, si përshkrimi i bukurisë dhe tiparet e fytyrës së një personi të veçantë të gjallë, lavdërimi i verës (alkooli) i cili stimulon pirjen e verës,imtësi dhe detaje në lidhje me çështje familjare, ose ato këngë që nënçmojnë dhe tallin të tjerët.”
Imam Ibn Abidini kolosi i Hanefive thotë:
“Instrumentet muzikore (aletu’l-lahw) nuk janë haram në vetvete (haram li-ajnihi). Më tepër bëhen për shkak të vetive të caktuara të dëgjuesit, ose për shkak të atij që ipërdor këto për haram. A janë të lejuara (hallall) apo të ndaluara (haram), përcaktohet përmes njërës prej këtyre vetive. Prandaj nëse shikojmë me vëmendje, varet nga qëllimi i dëgjimit nëse përdorimi i këtyre instrumenteve është nganjëherë haram dhe nganjëherë hallall. Ekziston një rregull i përgjithshëm: “Veprimet janë sipas qëllimeve.”
[Ibn Abidin, Hashijjeh Reddul Muhtar, V, 307]
Imam Abd el-Ghani en-Nablusi el-Hanefi thotë:
“Muzika nuk është haram për shkak se është muzikë. Sepse po të ishte kështu, do duhej që të gjithë zërat ngacmues dhe ngazëllues të ndalohen. Por kjo është gabim. Përkundrazi, ndalimi është në atë se ato kanë vetinë e argëtimit (dëfrimit). Sepse shumica e haditheve rreth muzikës është transmetuar në kuptim të përgjithshëm të ndërlidhur me kushtin e argëtimit (dëfrimit). Prandaj, që muzika te jetë e ndaluar (haram), duhet muzika dhe instrumentet të kenë veti argëtuese (dëfrimi). Çdo muzikë që nuk posedon këto cilësi, nuk mundet të ndalohet.”
[En-Nablusi, Idah el-Dalalat, nr. 1762/1, 7a-b, 8a-b, 9a, 11a, 27a-28a]
Nga Hoxhë Shefket Baftjari