Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit, Khawaja Asif, ka pranuar publikisht se vendi i tij ka mbështetur grupe terroriste në të kaluarën, duke vepruar sipas kërkesave të Amerikës dhe vendeve perëndimore. Gjatë një interviste, ai deklaroi se Pakistani ka bërë “punë të pista”, duke përdorur ekstremistët për të avancuar interesat strategjike, sidomos gjatë luftës kundër sovjetikëve në Afganistan.
Asif theksoi se këto veprime ishin pjesë e një strategjie të gjerë të Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë, ku Pakistani u përdor si aleat për të përkrahur grupe që më vonë u shndërruan në kërcënim global. Ai pranoi se ky rol i kaluar ka sjellë pasoja të rënda për Pakistanin, duke kontribuar në përhapjen e dhunës dhe ekstremizmit brenda vetë vendit.
Ministri përmbylli duke e quajtur këtë mbështetje një “gabim të madh” që tani i është kthyer Pakistanit në një nga sfidat më të mëdha të sigurisë kombëtare.