Një rrëfim zemre nga dikush që ka luftuar shumë për “të vërtetën”…
Kam kaluar vite duke polemizuar, debatatuar, sfiduar dhe ngulur këmbë. Kam kundërshtuar me pasion sektet e ndryshme islame, sidomos kur nuk përputheshin me mendimet e mia. Kam folur kundër hoxhallarëve që më dukeshin të mbyllur, kundër sahabëve që më dukej se nuk i qëndruan drejtësisë, kundër njerëzve që e shihnin ndryshe fenë nga unë.
Jam munduar ta gre flamurin e të vërtetës… por më vonë e kuptova se në këtë botë polaritetesh, edhe kontradiktat janë pjesë e rrugës.
Çfarë më siguron se idetë që mbroj sot, nuk do t’i ndryshoj nesër? A nuk kam ndryshuar edhe më parë?
A nuk janë pikërisht këto ndryshime dëshmi se asnjë prej nesh nuk e zotëron të gjithë të vërtetën?
Unë pendohem.
Pendohem për energjinë që e hodha në kundërshtime, jo në mirëkuptim.
Pendohem për zërin që ngrita, jo për zemrën që mund ta prekja.
Pendohem për gjuhën e ashpër që krijoi ndarje, kur mund të flisja më me butësi.
Pendohem për urrejtjen që më verboi, kur Zoti më thërriste përmes dashurisë.
Pendohem që kam sharë figura, që për vëllezërit e mi janë të dashura.
Pendohem edhe atëherë kur i kam fryer përçarjes dhe konfliktit, në emër të një Zoti që është Unifikues.
Udhëtimi im më mësoi se Zoti nuk është pronë e askujt. Ai nuk është vetëm i sufinjve, as vetëm i selefijve, as vetëm i apologjetëve apo filozofëve. Ai është Zoti i të gjithë atyre që i drejtohen me sinqeritet, sado e ndërlikuar të jetë rruga e tyre.
Nuk po dorëzohem nga bindjet e mia, por po i dorëzohem butësisë.
Nuk po mohoj të kaluarën time, por po e përqafoj pjekurinë që më mësoi rruga.
E tash, dua që fjalët e mia të ndërtojnë ura, jo mure.
Të ndriçojnë rrugë, jo të verbojnë me dritën e tepruar.
Të prekin zemra, jo të fitojnë debate.
Nëse ndonjë prej jush është ndier i lënduar nga fjalët e mia të kaluara – të ashpra, përçmuese, përjashtuese – i kërkoj falje.
Nëse kam krijuar përçarje mes jush, ndërsa flisja në emër të “unitetit”, kërkoj falje.
Nëse kam mbrojtur të drejtën me gjuhën e padrejtësisë, kërkoj falje.
Qoftë zemra juaj e mbushur me paqe dhe ndriçimin e Zotit që nuk përjashton askënd që e kërkon me sinqeritet.
Sepse në fund…
Dashuria është më e thellë se çdo ide.
Butësia është më e fortë se çdo argument.
Paqja është më e afërt se çdo drejtësi e imponuar.
Jam penduar… dhe jam gati për një fillim të ri.
Autor: Drilon Gashi