Kryeministri shqiptar Edi Rama ka zgjedhur të komentojë protestat anti-izraelite në vendet perëndimore, duke i cilësuar si “tronditëse” dhe duke kritikuar studentët dhe aktivistët që mbajnë flamuj LGBT ndërsa protestojnë kundër Izraelit. Në një deklaratë të cituar nga The Jerusalem Post, Rama tha:
“Është tronditëse kur sheh studentë dhe njerëz të ndriçuar në demokracitë më të vjetra që protestojnë me parulla të neveritshme kundër Izraelit, ndërkohë që valëvitin flamujt LGBT, kurse nëse ekziston ferr për komunitetin LGBT, ai është në Rripin e Gazës nën sundimin e Hamasit. Është rrëqethëse të mendosh se nën çfarë diktature të ligë jetojnë palestinezët.”
Kjo deklaratë vjen ndërkohë që vetë në Shqipëri, reagimet ndaj qëndrimit të Ramës lidhur me Izraelin nuk kanë qenë aspak pozitive. Pak ditë më parë, qytetarë shqiptarë refuzuan në mënyrë publike një dekoratë nga Ambasada e Izraelit dhënë Ramës, duke organizuar një fushatë nën moton “Jo në emrin tim”, siç raportoi Gazeta Impakt. Aktivistët shqiptarë e akuzuan kryeministrin për mbështetje të verbër ndaj një shteti që sipas tyre po kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve.
Në një kohë kur vendi përballet me probleme të shumta ekonomike, emigracion masiv dhe sfida të brendshme sociale, përfshirja e Ramës në këtë debat të ndjeshëm ndërkombëtar ngre pikëpyetje mbi prioritetet e tij politike dhe etikën e një lideri që preferon të flasë për kriza globale në vend që të merret me shqetësimet e qytetarëve të tij.