Kur në institucionet tona fetare fillon të ndihet qartë ndikimi i një rryme ideologjike të huaj për traditën tonë, siç është vehabizmi, lind nevoja për reflektim të thellë dhe angazhim të përgjegjshëm. Kjo nuk është thjesht një çështje organizative – është një çështje identitare, shpirtërore dhe shoqërore.
Kur brenda Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), një numër i konsiderueshëm individësh që ndjekin një qasje përjashtuese të fesë sistemohen në pozita udhëheqëse dhe edukative, dhe kur qindra të rinj po përgatiten në universitete jashtë vendit për të përhapur këtë model, atëherë nuk flasim më për një prani sporadike – por për një projekt të mirëorganizuar.
Për pasojë, thirrja islame (Da’wa) e humb natyrën e saj shpirtërore dhe përkushtuese, dhe reduktohet në aktivitete tërësisht sipërfaqësore, të kuruara për sytë e sponsorëve. Nuk është më mesazh për zemrën, por raport për llogaritë bankare. Kësisoj, mesazhi islam në vendin tonë fillon të humbasë lidhjen me njerëzit.
Tradita islame e familjeve shqiptare, e rrënjosur në përulësi, tolerancë dhe maturi, nuk gjen më përfaqësim në një organizatë që reflekton fanatizëm dhe gjuhë përjashtuese. Dhe si pasojë, besimtarët fillimisht largohen nga organizata – e më pas, fatkeqësisht, disa edhe nga vetë feja.
Nën ndikimin e këtij diskursi përjashtues, imazhi publik i Islamit fillon të deformohet. Në vend të një feje që bashkon, shpesh paraqitet një besim që ndan, që gjykon dhe që gëzon kur shpall dikë “jashtë fesë”. Në këtë atmosferë, braktisja e fesë nga shumë të rinj nuk është më reagim ndaj Zotit, por ndaj një interpretimi që e shtyp shpirtin.
Fatkeqësisht, kur një strukturë fetare dominohet nga mendësi që më shumë gëzohet për “përjashtimin e të tjerëve” sesa për përqafimin e së vërtetës, atëherë edhe festat ndryshojnë: për ata nuk është më gëzim Bajrami, por “gëzimi” i shpalljes së dikujt si jobesimtar. Ky është kulmi i keqkuptimit të fesë.
Por ky projekt nuk është afatgjatë. Sepse populli ynë – me gjithë pasiguritë dhe sfidat – ende ruan një ndjeshmëri të thellë për drejtësinë, urtësinë dhe baraspeshën. Dhe, kur e ndien që një organizatë fetare nuk përfaqëson më këto vlera, ajo humb kuptimin dhe mbështetjen. Dhe bashkë me to, edhe ndikimin.
Pas një kohe të shkurtër, mund të përfundojmë me institucione të boshatisura, ku njerëzit shtrihen të vetkënaqur me vetveten, të bindur se e “fituan” xhaminë – por të pavetëdijshëm se humbën shpirtin e saj.
Kur feja kthehet në mekanizëm për dominim ideologjik dhe jo në udhëzim për jetën shpirtërore, atëherë Islami nuk është më pjesë e zemrës së shoqërisë – bëhet mysafir në shtëpinë e vet. Dhe atëherë, Zoti e bart mesazhin e Tij tek ata që e duan me sinqeritet, që guxojnë ta ruajnë me përgjegjësi dhe që luftojnë për ta jetuar me dinjitet.
Autor: Gentian Jetishi