Prishtinë – Kryeministri në largim, Albin Kurti, që dikur premtonte se do të siguronte numrat për të kaluar kodin civil përmes një angazhimi personal për të ashtuquajturën “agjendë gay”, tani përballet me vështirësi edhe për të siguruar votat minimale për konstituimin e Kuvendit të ri.
Në mars të vitit 2022, Kurti kishte deklaruar publikisht: “Unë personalisht, sa dhe si është e mundur, do të angazhohem që të kemi votat për Kodin Civil”, duke lënë të kuptohet se kjo çështje ishte një prioritet i lartë në agjendën e tij politike – pavarësisht kundërshtimeve të gjera publike.
Ky orientim drejt asaj që kundërshtarët e quajnë “agjenda e ekstremit të majtë”, përfshirë shtyrjen e temave të kontestuara si martesat e së njëjtës gjini dhe ndryshimet në kuadër të kodit civil, ka rezultuar në pakënaqësi të thellë brenda elektoratit të tij, por edhe mes aleatëve politikë.
Dëshmia më e qartë e rënies së mbështetjes është dështimi për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, ku partia e Kurtit nuk po arrin të sigurojë konsensusin e nevojshëm për fillimin e punës së legjislaturës së re.
Per shkak te ndjekjes së rrymës ekstreme të agjendës gay dy ish-deputet të përbërjes së kaluar patën formuar Koalicioni për Familje me fokus në vlerat tradicionale dhe familjare, duke e konsideruar qasjen e deritanishme të Kurtit si përjashtuese ndaj shumicës konservatore të popullatës.
Ekspertët politikë theksojnë se Kurti ka nënvlerësuar ndikimin e çështjeve kulturore dhe ideologjike në terrenin politik të Kosovës, ku ende mbizotërojnë vlerat tradicionale dhe lidhja e fortë me familjen dhe fenë. Në një vend ku përkrahja për të drejtat e komuniteteve LGBT+ mbetet e ulët në sondazhe, vendosja e kësaj teme si prioritet shtetëror është parë si largim nga nevojat reale të qytetarëve.
Me një Kuvend të paralizuar dhe mbështetje në rënie, Kurti përballet me një krizë të re legjitimiteti – një pasojë e drejtëpërdrejtë, sipas kritikëve, e një politike që anashkaloi shumicën dhe vendosi në qendër një “agjendë përçarëse” të pakicës.