Pasi kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, zyrtarë të shumtë nga rajoni dërguan mesazhe ngushëllimi me qëndrimin e përbashkët se bota ka humbur një paqebërës të madh.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në mesazhin e tij në rrjetet sociale shkroi se do t’i ruaj në kujtesë takimet që ka patur me Papa Fraçenskun.
“Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”, u shpreh Begaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh në Platformën X, tha se Papa Françesku ishte “zëri i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë”.
“Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, tha Osmani.
Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar tha se “zëri i tij për paqe dhe drejtësi frymëzoi miliona njerëz”.
“Fakti që ai vdiq të hënën e Pashkëve vetëm sa e thellon simbolikën e trashëgimisë së tij: një jetë kushtuar shpresës dhe ripërtëritjes”, tha ajo.
Papa Françesku ndërroi jetë të hënën në mëngjes në moshën 88-vjeçare pasi vuante nga një “krizë e zgjatur e frymëmarrjes e ngjashme me astmën” e lidhur me trombocitopeninë, njoftoi Vatikani.
I lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, si bir i emigrantëve italianë, Papa Françesku u arsimua në Argjentinë dhe më vonë në Gjermani dhe u shugurua prift jezuit në vitin 1969.
Mbi dhjetë vite të pontifikatës së tij, ai mbeti një figurë admirimi dhe një burim polemikash.
Ai mbrojti reformimin e burokracisë së Vatikanit, luftimin e korrupsionit dhe adresimin e sfidave kryesore me të cilat përballet Kisha.
Dhe, ndërsa shumë e lavdëruan për modestinë dhe përkushtimin e tij ndaj drejtësisë sociale, udhëheqja e tij hasi gjithashtu në rezistencë të ashpër nga qarqet konservatore brenda dhe jashtë Kishës.